Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, mbrojtja ka vijuar me kundërshtimet ndaj provave të paraqitura nga SPAK, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të disa akteve hetimore dhe marrjen e dëshmive të reja.
Avokati i Monika Kryemadhit, Redi Llanaj, gjatë paraqitjes së argumenteve të mbrojtjes, deklaroi se akuza për ish-deputeten nuk ka bazë penale dhe pretendoi se vetë SPAK ka pranuar se blerja e vilës nuk lidhet me korrupsion.
“Vetë SPAK pranon se blerja e vilës nuk ka korrupsion. Kjo çështje nuk është juridike, por politike. Këtu nuk ka fakt penal. Prokurori është kthyer në një vegël…”, u shpreh Llanaj.
Pas kësaj deklarate, gjyqtari i çështjes, Erion Bani, i tërhoqi vëmendjen avokatit që të mos cenonte solemnitetin e seancës me terminologji të tillë. Llanaj u përgjigj se përdorimi i fjalës “vegël” nuk ishte fyes, duke argumentuar se ajo nënkupton “instrument”.
Kërkohet ekspertizë e re financiare për çiftin Meta-Kryemadhi
Një nga kërkesat kryesore të mbrojtjes ishte kryerja e një akt-ekspertimi të ri kontabël për të ardhurat e çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ndër vite.
Sipas Llanajt, ekspertiza e realizuar gjatë hetimit është e njëanshme dhe nuk mund të përdoret si provë.
“Ky akt, për ne, është totalisht i njëanshëm dhe duhet të konsiderohet i papërdorshëm dhe i pavlefshëm. Ne kemi paraqitur një akt-ekspertim që e kundërshton këtë akt. Mendoj se ky është momenti për ta bërë këtë kërkesë, që të caktohet një ekspert i pavarur ose një grup ekspertësh, sepse është një provë thelbësore”, tha avokati.
Kërkohen dëshmi nga politikanë dhe zyrtarë të tjerë
Në vijim të kërkesave të mbrojtjes, Redi Llanaj kërkoi që në proces të dëgjohen edhe disa persona të tjerë, mes tyre Esmeralda Shkjau, Vali Bizhga, kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si dhe deputetë që kanë propozuar ndryshimet në ligjin nr. 134/2014.
Sipas avokatit, këto dëshmi do të ndihmonin në sqarimin e çështjeve që lidhen me akuzat e ngritura ndaj Kryemadhit.