Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth ka hyrë në ditën e 7, ku Fadromat e IKMT-së, të mbështetura nga forcat e rendit, vazhdojnë shembjen e objekteve. Deri tani, janë prishur rreth 70 objekte pa leje, dhe aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Situata në terren mbetet e qetë për momentin, por tensionet janë të pranishme. Para Kishës së Thethit, që është një simbol i zonës, u mblodh Kuvendi i Burrave, takim i cili pati si fokus diskutimin mbi aksionin dhe pasojat e tij për banorët e zonës.
Banorët e Thethit janë të shqetësuar për të ardhmen e bujtinave të tyre, dhe kërkojnë një zgjidhje nga qeveria për të ndaluar aksionin dhe për të krijuar mundësi për legalizimin e ndërtimit të bujtinave, si pjesë e paketës për zhvillimin e turizmit malor. Ata kërkojnë më shumë informacion dhe mundësi për të marrë pjesë në këtë iniciativë.
Në këtë tubim mori pjesë edhe Zef Vladi, banor i Shalës, i cili foli për rëndësinë historike dhe kulturore të kullave të Thethit, duke theksuar se ato janë të ndërtuara me djersë dhe mbrojtur me gjak.
Ai e cilësoi të paarsyeshme shembjen e këtyre objekteve, duke kërkuar që të hapet një dialog dhe jo shkatërrim.
“I kam bërë thirrje qeverisë që të ndalojë aksionin, sepse nuk është e arsyeshme. Ne e dimë që disa ndërtime kanë pasur gabime dhe nuk duhej të ishin lejuar, por ato janë ndërtuar me mundin dhe sakrificat tona.
Këto shtëpi janë më shumë se thjesht objekte, ato janë pjesë e historisë sonë, të mbrojtura me djersë e gjak”, tha Vladi, duke theksuar se pas kësaj proteste, kërkohet vetëm një mundësi për dialog dhe marrëveshje.
Prifti i Thethit ka bërë një thirrje për dialog mes autoriteteve dhe banorëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së harmonisë dhe bashkëpunimit për një zgjidhje të qëndrueshme.
Po ashtu, Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka dalë në mbështetje të banorëve të zonës, duke u angazhuar për mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e tyre në këtë proces. Reagimi i kishës ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe të traditave të Thethit.
Tensionet vazhdojnë të jenë prezente, pasi ndodhin edhe përplasje herë pas here mes banorëve dhe forcave të rendit.