Prokuroria e Fierit ka sekuestruar disa pasuri të një shtetasi të vënë nën hetim, i dyshuar për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash përmes një aktiviteti “Call Center”.
Sipas hetimeve, në llogaritë bankare të tij janë depozituar shuma të konsiderueshme parash të pajustifikuara, të cilat më pas dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme në qytetin e Fierit.
Njoftimi i Prokurorisë
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan pasuritë e shtetasit E.Sh., nën hetim për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtari kriminale’ parashikuar nga nenet 143, 180 dhe 287 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1381, datë 16.12.2021, i regjistruar ndaj personit nën hetim E.Sh., dyshohet se nëpërmjet një aktiviteti “Call Center” që ushtronte në qytetin e Fierit, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Në vijim të hetimeve, u dokumentua fakti i depozitimit të vlerave të konsiderueshme monetare Cash, në llogaritë bankare të cilat nuk justifikojnë burimin e ligjshëm të origjinës. Më pas, këto vlera u investuan në pasuri të luajtshme të paluajtshme, të cilat janë ende në verifikim.
Nëpërmjet veprimeve juridike u synua transferimi i pasurive, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme, fakt që përmban elementë të veprës penale të dyshuar “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Në funksion të këtij procedimi penal ndaj personit nën hetim, u caktuan masat e sigurimit personal me karakter shtërngues. Njëkohësisht, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë në mbështetje të nenit 274 të Kodit të Proceduës Penale, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, u vendos masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi:
1 – Pasurinë e llojit Njësi, me sipërfaqe 230 m2;, si dhe
2 – Pasurinë e llojit apartament me sipërfaqe 100 m2, në Fier.