Masakra në Memaliaj/ Del FOTOJA e BMW-së së vrasësve

22 Korrik 2024, 21:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
FOTOJA e BMW-së së vrasësve

Në media kanë dalë pamjet e makinës tip BMW X5 me të cilën lëviznin autorët e vrasjes së trefishtë mbrëmjen e së shtunës në Memaliaj, ku humbën jetën Shyqyri Kalemi, Gledian Muka dhe Marsel Çela dhe u plagos Artur Kalemi.

Makina është kapur nga disa prej kamerave sigurie gjatë lëvizjes, si para dhe pas atentatit. Por pavarësisht kësaj, në asnjërën nga pamjet nuk shquhen qartësisht vrasësit.

Për t’u mos identifikuar ata kanë qëlluar nga brenda makinës në drejtim të lokalit, ku çdo mbrëmje ulej 74-vjeçari Kalemi.

Dyshimet janë se ai është monitoruar nga atentatorët, të cilët pasi zbrazën breshërinë e plumbave në drejtim të bar kafes u larguan drejt Mallakastrës, ku dogjën makinën dhe 3 kallashnikovët me të cilët kryen vrasjen, të cilat janë dërguar për ekzaminim.

Policia ka marrë në pyetje mbi 20 persona dhe ka ushtruar kontrolle të shumta, por deri tani nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e autorëve.

Për zbulimin e tyre hetuesit po punojnë me pistën e hakmarrjes ndaj fisit Kalemi, sagë kjo që ka nisur prej vitit 2022, kur u ekzekutua me tritol nipi i Shyqyri Kalemit, Aleksandër Sadikaj.

Prej asaj kohe e deri tani përplasja e fisit Kalemi me një tjetër familje ka vijuar, duke prodhuar të paktën 5 viktima e disa të plagosur në atentate, ku objektiv kanë qenë djemtë e 74-vjeçarit, Adriatik dhe Zamir Kalemi, të cilët kanë mundur të shpëtojnë.

Video