Dy Jeep dhe një Golf 8 janë tre automjetet që iu bllokuan Jetmir alias Mir Pepës, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal që kryente trafik droge.
Urdhri i lëshuar me firmën e prokurorit Alfred Shehu për Jetmir Pepën, nuk është ekzekutuar pasi biznesmeni ndodhet jashtë vendit.
Mir Pepa është një personazh me precedent të mëparshëm kriminal dhe i shpallur në kërkim më herët pas një sherri me armë në një koncert.
Prej janarit 2025, Mir Pepa rezulton në kërkim nga Policia e Tiranës pas ka qëlluar me armë zjarri në Parkun Olimpik në një koncert festiv natën e ndërrimit të viteve.

Pas një sherri, Pepa ka qëlluar dy herë me armë zjarri në mes të koncertit, i cili ishte i mbushur plot me të rinj që po festonin natën e ndërrimit të viteve dhe më pas u largua.
Në momentin e të shtënave, në skenë po performonte reperi Stresi, dhe priteshin edhe emra të tjerë të njohur të skenës shqiptare, si Dafina Zeqiri.
Koncerti mbahej në sallën e Parkut Olimpik në rrugën “Liman Kaba” në Tiranë dhe ishte marrë me qira nga Cinco Cavalli Group.
Emri i Mir Pepës është lakuar edhe në konfliktin e motrave Berisha të cilat dhunuan blogeren Klea Prenga, pasi përflitet si ish-partneri i Marinela Berishës.