
Lagjja “5 Maji” në Tiranë, e trumbetuar dikur si modeli i rilindjes urbane dhe rindërtimit modern, sot ngjan më shumë me një kantier të harruar ku mungesa e përgjegjshmërisë po penalizon qindra familje.
Realiteti në terren flet për një braktisje totale nga pushteti, i cili duket se e ka përmbushur misionin e tij vetëm me propagandën e projektit mbi letër.
Sot, banorët përballen me një situatë alarmante: kodra me dhera të lëna pas dore që rrethojnë zonën. Këto masa dheu nuk janë thjesht mbetje ndërtimore, por një kërcënim serioz për garazhet e makinave dhe katet përdhese.
Çdo herë që në Tiranë bie shi, frika nga përmbytjet dhe rrëshqitja e dherave pushton lagjen.
Por problemet nuk mbaron këtu. Investimet në pallatet e reja shfaqin shenja të qarta të mungesës së cilësisë. Kompanitë ndërtuese, pasi kanë përfituar nga kontratat majme, nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për defektet teknike dhe degradimin e parakohshëm të strukturave.
Banorët ankohen duke thënë se është e papranueshme që një lagje e re të kthehet në një geto urbane pa kaluar ende pesë vite nga nisja e punimeve.