Laert Haxhiu donte të eliminonte dy prokuroret, Etilda Gjonaj: Sot më shumë se kurrë, prokurorët e SPAK kanë nevojë për mbështetje

1 October 2023, 18:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Laert Haxhiu donte të eliminonte dy prokuroret, Etilda Gjonaj: Sot më
Etilda Gjonaj

Rrëfimi i Artan Tafanit përballë drejtësisë për krimet e kryera nga e ashtuquajtura banda e Laert Haxhiut në Lushnjë, nxori në dritë një plan për eliminimin fizik të prokurores së posaçme Doloreza Musabelliu. Ndaj kësaj të fundit janë shtuar masat mbrojtëse me kërkesë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Gjithashtu, Haxhiu kishte në plan edhe eliminimin e Merita Selimit, ish-prokurore në Lushnjë.

Për këtë arsye, deputetja socialiste Etilda Gjonaj është solidarizuar sot me dy prokuroret Musabelliu dhe Selimi, ndërsa thekson se sot më shumë se kurrë, prokurorët e SPAK kanë nevojë për mbështetje.

“Sot më shumë se kurrë, prokurorët e SPAK kanë nevojë për mbështetje! Teksa dëgjon kërcënime me jetë që marrin prokurorët, kupton mjaft mirë se sistemi i ri i drejtësisë që është ngritur është përgjigja e duhur ndaj krimit dhe veçanërisht ndaj krimit të organizuar.

Në SPAK, ka edhe gra prokurore shumë të zonja, me integritet dhe profesioniste që kryejnë punën e tyre me përkushtim, duke besuar tek vlerat e sistemit të ri të drejtësisë.

 Solidarizohem dhe mbështes prokuroret Musabelliu dhe Selimi ….

…. ashtu si dhe të gjitha prokuroret gra të SPAK dhe ato në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit për sakrificën e jashtëzakonshme që bëjnë në ushtrimin e detyrës së tyre.

Mbështetje sot, i duhet dhënë jo vetëm nga sistemi i drejtësisë por edhe nga politika dhe shoqëria!”, shkruan ish-ministrja e Drejtësisë në rrjetet sociale.


Video