La ëndrrën për futbollin që të ndërtojë të ardhmen në Theth, 23-vjeçari i zhgënjyer: Do emigroj sërish

12 July 2025, 17:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
La ëndrrën për futbollin që të ndërtojë
Klodian Harusha

Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama iu bënte thirrje të rinjve që të kthehen nga emigrimi për të investuar në atdhe, pasi sipas tij, e ardhmja ishte e sigurtë në Shqipëri, pasi turistët e huaj po gëlonin maleve fushave dhe deteve.

Dhe disa persona e dëgjuan ‘thirrjen’ dhe lanë emigracionin për të investuar në tokën e prindërve.

I tillë ishte edhe Klodian Harusha, i cili braktisi ëndrrën për futbollin, për të investuar kursimet minimale në Theth. Por aksioni i IKMT për shembjen e objekteve, i preu krahët të riut.

“Kam investuar këtu. Kam qenë emigrant. Kam luajtur si futbollist në Itali për 6 vite. U ktheva me idenë se ka të ardhme dhe këtu, por fatkeqësisht më duket nuk ka. Kam ardhur me rreth 7 mijë euro të kursyera. U ktheva me fjalën e kryeministrit sepse tha kthehuni të rinjtë e investoni në tokat e të parëve tuaj. Unë u ktheva. Jam munduar me krijuar një jetesë në vete. Kjo këtu ka 1 vit që pikon është me nipt e çdo gjë”, tha Klodian Harusha.

Si një i ri i rritur jashtë vendit, Klodiani ishte i përgjegjshëm se për të ndërtuar duhet të merrte leje. Por ai shpjegon ping-pongun e përjetuar nga institucionet vendore në Shkodër.

“Jam sorollat në bashki, asnjë informacion për Paketën e Maleve. Më ka nxjerrë edhe jashtë në bashki duke më thënë shko kërko kund tjetër informacion. Kryeministri tha vjet e kemi miratuar paketën e maleve. Unë bëra diçka druri e cila mund të çmontohet për 2 orë. Kanë ardhur më kanë vendosur 58 mijë euro gjobë e më thanë do shembet bashkë me lokalin që ka 2 vite me nipt e çdo gjë”, shtoi banori i Thethit, Klodiani.

Investimi i tij tashmë është pjesë e procesit të shembjes, por humbjet e pësuara dhe borxhi mbi supe i kalon 90 mijë euro.

“Është ndërtesë 1 kat e gjysëm dhe është vënë gjobë e tillë. Jam i zhgënjyer kam ardhur me kriju një jetë këtu, sot jam 95 mijë euro borxh e nuk di nga të ia nis. Jam munduar me investu në tokën time, kisha dasht një rrugë zgjidhje”, theksoi Harusha.

Klodiani tregon se vendimi i kryeministrit për të prishur objektet në Theth do ta detyrojë 23-vjeçarin të emigrojë sërish.

 


Video