Kush e vrau Fridman Xhaferrajn? Vëllai: Në Lushnje thuhet se...

28 July 2026, 10:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kush e vrau Fridman Xhaferrajn? Vëllai: Në Lushnje thuhet se...
Fridman Xhaferraj

Procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme vijon me dëshmitë e personave të thirrur nga gjykata, ndërsa në seancën e sotme është marrë në pyetje Xhuljano Xhaferraj, vëllai i viktimës Fridman Xhaferraj.

Gjatë dëshmisë së tij, Xhaferraj u pyet nga prokurori lidhur me autorësinë e vrasjes së të vëllait, por deklaroi se nuk kishte dijeni të drejtpërdrejtë se kush e kishte kryer krimin.

“Kush e vrau Fridmanin?”, e pyeti prokurori.

“Nuk e di, ata thonë se kemi vrarë ne. I ati i Laertit tha nuk ka dorë djali im. ‘Nuk ka dorë djali im’, më tha. E pyeta unë si ka ndodhur, ngaqë mora vesh që vëllai kishte qenë me Laertin. Unë jam në ajër, s’di gjë fare”, deklaroi dëshmitari.

Më tej, ai tha se kishte dëgjuar në Lushnjë pretendime se urdhri për vrasjen ishte dhënë nga Laert Haxhiu.

“Në Lushnjë kam dëgjuar që urdhrin e dha Laert Haxhiu”, u shpreh Xhuljano Xhaferraj. 

Gjatë pyetjeve, prokurori e ka pyetur dëshmitarin edhe për aktivitetin dhe shoqërinë e Fridman Xhaferrajt.

“Me se merrej Fridmani?”, e pyeti prokurori.

“Nuk më tregonte asgjë. Më thoshte do iki jashtë. Nuk i njihja as shoqërinë. Di që konsumonte lëndë narkotike, edhe ka shitur. Ka bërë dhe burg, nja tre herë. Herën e fundit e ka bërë burgun në Peqin. Me të dëgjuar e kam që ishte i përfshirë në drogë por s'jam i sigurë. Artan Tafanin e njihja se kam qenë në burg me të, e ka njohur vëllanë tim se e ka pasur në burg në Rrogozhinë”, u përgjigj ai.

Nga ana tjetër, avokati i Laert Haxhiut e ka pyetur nëse njihej me Laertin. 

Dëshmitari: Njihemi familjarisht.

Avokati: Pse mendoni se mund ta ketë vrarë Laerti?

Dëshmitari: Unë s'e besoj që mund ta ketë bërë Laerti, ai e ka dashur e ka mbajtur afër.

Avokati: Prej sa kohësh konsumonte lëndë narkotike Artan Tafani?

Dëshmitari: Të kuqe, konsumonte dhe në burg në Rrogozhinë. Merrte dhe metadon.

Xhuljano Xhaferraj ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest me burg” për një çështje tjetër penale dhe u paraqit në GJKKO i shoqëruar nga policia e burgjeve.

Procesi ndaj Laert Haxhiut vijon me administrimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të thirrur nga gjykata.


Video