Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, ka dalë pas më shumë se 5 orësh nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ku ishte thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurori Sotir Kllapi.
Kryemadhi tha për gazetarët se ishte thirrur si person që ka dijeni, lidhur me një kallëzim që është bërë ndaj saj, nënës, vëllait të saj dhe fëmijëve të saj në lidhje me pasurinë.
Ajo tha se iu përgjigj çdo pyetje që kishte oficeri i policisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për gazetarët ajo tha se nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj saj, si dhe mohoi që të ketë bërë ndërhyrje të shtrenjta dhe të padeklaruara estetike, për çka ka një padi ndaj saj.
“Isha ne prokurori për t’u përgjigjur rreth padisë së rreme që ka bërë Erion Veliaj. I jam përgjigjur për të gjitha gjërat, për akuzat që ata kanë ngritur. E lexova me vëmendje e firmosa me vetëdije të plotë. Akuzë? Asnjë. Lobimi, hetimi pasuror i Monika Kryemadhit dhe operacionet plastike, janë një çështje, e them, nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Çdo grua që kërkon të mirëmbahet nuk është ndërhyrje estetike. Unë sot isha në cilësinë e personit që ka dijeni.
Edhe mamaja ime, dua t’ju kujtoj të gjithëve që padia që është dorëzuar në SPAK, është paditur mamaja ime, vëllai im dhe tre fëmijët e mi. Le ta marrin celularin, ka vetëm gjëra të bukura dhe fjalë të mira. Nuk kam asnjë prerje estetike, botoks, patjetër që kam bërë si gjithë burrat dhe gratë”, u shpreh Kryemadhi.