Pas thirrjeve të vazhdueshme për sensibilizimin e qytetarëve mbi pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit, kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka nisur konkretisht një sërë angazhimesh në terren.
Aktualisht ka filluar pastrimi i kanaleve që rrethojnë qytetin, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në kullimin e ujërave dhe parandalimin e përmbytjeve.
Gjatë këtij procesi, është konstatuar se shumë prej kanaleve janë kthyer në vende grumbullimi mbetjesh, ku janë gjetur dyshekë, mobilje dhe sende të tjera të mëdha.
Sipas Mersinit, këto mbetje bllokojnë kanalet e kullimit dhe shkaktojnë përmbytje në qytet.
Kryetarja u ka bërë thirrje qytetarëve për më shumë ndërgjegjësim dhe bashkëpunim, duke theksuar se kanalet nuk duhet të shfrytëzohen si vende hedhjeje mbeturinash.
“Qyteti është i të gjithëve dhe duhet ta mbajmë së bashku të pastër”, është shprehur ajo.
Gjithashtu, Mersini ka bërë të ditur se Bashkia ka marrë në menaxhim edhe burimin e Tunelit të Ujit të Ftohtë.
Ajo ka sqaruar se, për momentin, uji nuk mund të konsiderohet ende i pijshëm, derisa të përfundojnë analizat biologjike dhe kimike.
Për këtë qëllim, janë kontaktuar institucionet përkatëse dhe është kërkuar që analizat të kryhen sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët të informohen me transparencë të plotë.