
Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka tërhequr vëmendje medieve, duke kërkuar të mos i bëjnë presion e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
Në reagim thuhet se një “grup mediatik” ka shpërndarë materiale që përmbajnë aludime dhe përcaktime që cënojnë dinjitetin e gjyqtarëve që ushtrojnë funksion në Gjykatën Administrative të Apelit:
Reagimi i KLGJ:
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në përputhje me qëndrimet e tij të vazhdueshme në mbrojtje të magjistratëve, ka konstatuar publikimin dhe transmetimin nga një grup mediatik, të materialeve që përmbajnë aludime dhe përcaktime që cenojnë dinjitetin e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin pranë Gjykatës Administrative të Apelit, si dhe të familjarëve të tyre.
Këshilli vlerëson rolin e medias si një komponent thelbësor në një shoqëri demokratike, ku informimi i publikut duhet të realizohet në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Media ka detyrimin të respektojë parimet e etikës dhe të shmangë publikimet që synojnë dëmtimin e besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Në këtë kontekst, Këshilli thekson rëndësinë e raportimeve të bazuara në fakte të verifikuara dhe të trajtuara me objektivitet, duke shmangur krijimin e perceptimeve të pasakta apo të dëmshme për gjyqtarët dhe familjarët e tyre.
Këshilli i Lartë Gjyqësor fton edhe njëherë të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe angazhimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private, duke garantuar paanshmërinë e sistemit gjyqësor në shërbim të interesit publik.