Dosja penale ndaj ish-ministrit të qeverisë “Berisha”, Spiro Ksera, do të kalojë në filtrat e Gjykatës së Lartë, pas gati shtatë vitesh pasi u dënua me 16 muaj burg për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.
Seanca për shqyrtimin e rekursit kundër vendimit të Apelit Tiranë për ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe tre ish-vartësve të tij do të mbahet më 18 Tetor.
Në Gjykatën e Lartë ish-ministri kërkon prishje të vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit Tiranë dhe deklarimin e tij të pafajshëm, qëndrim që e ka mbajtur gjatë hetimit dhe gjykimit. Shqyrtimi i çështjes do të bëhet në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, nga një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
Ish-zyrtari i lartë “trokiti” në Gjykatën e Lartë në janar 2017, por dosja nuk kaloi më herët për gjykim për shkak të ngarkesës dhe ngërçit që përfshiu këtë gjykatë pas nisjes së vetingut.
Dhjetorin e vitit 2016, Apeli i Tiranës la në fuqi deklarimin e fajshëm të ish-ministrit dhe tre ish-vartësve të tij. Sipas gjykatës, ish-zyrtarët e Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale kishin përvetësuar 30 milionë lekë nga buxheti i ministrisë, duke bërë fiktivisht, vetëm në letra, disa aktivitete për shtresat në nevojë. Ksera u arrestua në 29 janar 2016 dhe qëndroi në burg deri pak ditë pas vendimit të Apelit.