Kërkojnë para në emër të personazheve publikë, Rama thirrje qytetarëve: Mos bini pre e kësaj loje kriminale

22 June 2024, 17:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kërkojnë para në emër të personazheve publikë,
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes me një mashtrim telefonik që po ndodh në vendin tonë dhe ka dëmtuar disa persona deri tani.

Rama thotë se mashtruesit imitojnë numrat e telefonit të personazheve publikë dhe në emër të tyre kërkojnë shuma parash. Ai thotë se qytetarët duhet të verifikojnë vërtetësinë e dërguesit për të shmangur këtë lojë kriminale.

E paqartë mbetet nëse Rama i referohet atyre rasteve kur biznesmenë të njohur në vend kanë rënë pre e mashtrimeve nga persona që kanë pretenduar se janë politikanë të lartë dhe u kanë kërkuar atyre shuma të mëdha parash, apo bëhet fjalë për një skemë të re.

"Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit për të dërguar mesazhe të rreme, ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve. Por ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale", shkruan Rama.


Video