
Gjykata e Elbasanit caktoi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të arrestuarit, të cilët dyshohet se kërcënuan biznesmenin nga Cerriku të tërhiqej nga tenderi që fitoi në Bashkinë e Tiranës. Ata janë Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, Shaqir Alcani, 62 vjeç, të tre banues në Tiranë,
Nga të dhënat e mbledhura deri tani, dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kërcënuan Eral Myftaraj, administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma që ai administronte. Do të jenë hetimet e mëtejeshme ato që do të hedhin dirtë mbi këtë ngjarje.
Si ndodhi kërcënimi?
Myftaraj, që zotëron një kompani me zyrat qendrore në Cërrik fitoi një tender 1 milion eurosh për furnizimin me lëndë drusore në shkolla.
Ai u kërcënua që të hiqte dorë, në të kundërt do t’i vrisnin anëtarët e familjes. Por, biznesmeni s’u tërhoq dhe bëri kallëzim në polici, pas të cilit ndodhën dhe arrestimet. Babë e bir, Shaqir dhe Algert Alcani dyshohet se janë organizatorët.