Familjarët e Klisman Nikollit, efektivit 27-vjeçar të policisë, tashmë të përjashtuar nga radhët e uniformave blu, mohojnë lajmet e mediave italiane për arrestimin e tij në Itali për vjedhje.
Nëna e 27-vjeçarit Gjelina Nikolli deklaroi për “News24” se ai ndodhet në Gjermani dhe nuk ka asnjë lidhje me atë që shkruajnë mediat italiane.
“Ne jemi familje dëshmori. Janë të gjitha gënjeshtra, shpifje e intriga të keqdashësve të familjes Nikolli”, deklaroi ajo.
Sipas nënës, komunikimi i fundit me të birin është i ditës së djeshme. “Dje kam folur me djalin, më tha që ndodhet në Gjermani te nipi”, tha ajo.
Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku firmosi sot përjashtimin e tij nga Policia.
Policia e Shtetit përmes një komunikate për mediat bën me dije se gjatë kohës që 27-vjeçari ka kryer grabitjet në Itali ka qenë me leje për arsye shëndetësore pa të drejtë page.
Mediat italiane raportuan se 27-vjeçari Klisman Nikolli akuzohet si autor i 18 grabitjeve së bashku me Viktor Bilani dhe Flor Koca.