Ishin kthyer në tmerrin e Torinos, çmontohet banda e 8 ‘skifterëve’ shqiptarë, akuzohen për 68 grabitje vilash!

17 Qershor 2025, 13:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia Italiane

Një bandë ‘skifterësh’ shqiptarë është çmontuar nga policia italiane, ndërsa ishin kthyer në ‘tmerrin’ e banorëve të Torinos dhe dyshohen si përgjegjës për të paktën 68 plaçkitje me dëm qindra mijëra euro.

Grabitjet në seri, shpesh edhe me përdorim të dhunës, kishin nisur në seri që prej janarit të vitit 2024 dhe ishin aq shqetësuese, sa çuan në protesta banorët në kodrat e qytetit.

Policia njofton se ka identifikuar pas hetimeve intensive 8 personat pjesë e organizatës, të gjithë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë në burg për krime të tjera.

Hëetimet u kryen nga kompania e Chieri, ndërsa flitet për një grup të organizuar mirë, që jo vetëm grabiste,por edhe bënte shitjen e mallrave dhe dërgimin e fitimeve deri në Shqipëri.

Bastisjet ishin evidentuar veçanërisht në zonën e Pino, Baldissero, Pecetto dhe Chieri, kryesisht në vila luksoze apo të izoluara.

Zakonisht dy persona bënin goditjen, një i tretë ruante dhe një tjetër rrinte si shofer.

Të veshur me rroba të errëta, por shpesh duke mbuluar fytyrat me kapele të bardha.

Kamerat kanë filmuar shumë nga grabitjet në zonë, në bazë të të cilave dhe gjurmëve u arrit pas një viti hetimesh të zbardheshin shumë prej tyre.

Hetimet nisën të merrnin udhë pas arrestimit të një prej shqiptarvëe që bënte rojen e grupit dhe më pas kjo çoi në zbërthimin e organizatës, teksa në mars u bënë edhe ndalime të tjera.

Gjatë aksioneve mbeti i plagosur edhe një efektiv policie, shumica e ‘skifterëve’ mundën të arratiseshin nëpër pyje gjatë ndjekjes.

Por gjurmët e shumta të gjetura, kryesisht ato biologjike, çuan në identifikimin së fundmi të tyre pas krahasimit të analizave të ADN-së.

Në këtë pikë fillon pjesa e dytë e operacionit. Identifikohet një prej shqiptarëve të implikuar, i cili mbahet nën përgjim të vazhdueshëm dhe ndiqet në distancë.

Telefonatat identifikuan grupin prej 8 personash dhe çuan në zbardhjen e shumë ngjarjeve të tjera, informon media italiane.

Skema e grupit ishte e ideuar dhe planizuar më së miri. Vendi i takimit ishte në orën 5 pasdite pranë shtëpive. Prej andej ata nisën për vjedhjet në kodrat e Torinos: nga Pino në Baldissero, Pecetto, Revigliasco, Moncalieri deri në San Mauro dhe Settimo.

Ata do të kryenin deri në 5 ose 6 grabitje në një mbrëmje.

Një shofer do t'i çonte dy personat përgjegjës për vjedhjen në zonën e zgjedhur: përgjithësisht grupe shtëpish pak të izoluara me pyje përreth.

Pastaj ai do të kthehej në qytet për të shmangur lënien e makinës në zonë.

Vetëm 3 arrestime ishin kryer vitin e kaluar, 5 të tjerat u bënë së fundmi nga përgjimet dhe ndjekjet e celulës.

Prokuroria e quajti një hetim të mundimshëm, por që në fund çoi në sukses.

Tani po punohet për të zbuluar nëse grupi ka marrë pjesë në më shumë grabitje, edhe në zonat e tjera.

Video