Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar pas zhvendosjes së selisë në Mjull Bathore në rrugën “Dervish Shaba” dhe në media u aludua lajmi se shkak për ndërrimin e zyrave u bë emërtimi i rrugës "Ukraina e Lirë" aty ku ndodhej më parë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ka përgënjeshtruar mediat se ka qenë kjo arsyeja e zhvendosjes dhe sqaron se ndërtesa e re e ambasadës u hap në prani të mediave që në shtator 2019, por zhvendosja e plotë u mundësua vetëm në qershor 2022 për shkak të vonesës së punimeve ndërtimore në periudhën e pandemisë.
Me një vendim unanim pak muaj më parë Këshilli Bashkiak i kryeqytetit emëroi "Ukraina e Lirë” rrugën para ish-ambasadës ruse, ku ndodhen edhe ambasadat e Ukrainës, Kosovës dhe e Serbisë.
Postimi i plotë:
Në lidhje me publikimin në një sërë mediash shqiptare të informacioneve jo të besueshme për zhvendosjen e pretenduar të Ambasadës Ruse në Shqipëri në një godinë të re për arsye të riemërtimit të rrugës, njoftojmë sa më poshtë:
Ndërtesa e re e Ambasadës, e pajisur për zyrën e misionit diplomatik, u përgatit dhe u hap solemnisht në prani të gazetarëve dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë në shtator të vitit 2019. Megjithatë, zhvendosja e plotë u realizua vetëm në qershor 2022, për shkak të vonesës së punimeve ndërtimore në periudhën e pandemisë.
Në të njëjtën kohë, MEPJ-së shqiptare i është dërguar një njoftim zyrtar për zhvendosjen e zyrës së Ambasadës dhe adresa e re është publikuar në rrjetet sociale.
Do të dëshironim që tani e tutje, përpara publikimit të informacioneve lidhur me punën e misionit tonë diplomatik, gazetarët të kontaktojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Ambasadës për një informacion të besueshëm.