Policia e Tiranës bëri të ditur se pasuria e sekuestruar në emër të Irma Hasanit, punonjëse e Shërbimeve Qeveritare është në vlerën e 750 mijë eurove.
Me kërkesën e prokurorisë së Tiranës gjykata e Tiranës firmosi sekuetro preventive të 6 pasurive dhe 6 makinave të shtrenjta.
Prokuroria provoi se Irma Hasani ishte e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë dhe nuk mund të justifikonte blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Më pas nisi verifikimi dhe rezulton që i vëllai Oltion Hasani rezulton të ishte i dënuar në Angli.
Njoftimi i Prokurorisë
Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar "Immediate".
Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari.Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar "Immediate".
Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.
Materialet i kaluan Prokurorisë.