Një 81-vjeçar ka përfunduar në spitalin e Korçës me plagë të rënda në kokë.
Në fillim dyshohej se ai ka rënë pre e një grabitje, ku hajdutët e kanë goditur me sende të forta në kokë. Sipas njoftimit të policisë, në orën 07:05 i moshuari ka arritur në spital, ku ka kërkuar ndihmën e parë.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se as dera e banesës dhe as dritaret e saj, nuk janë të dëmtuara. Nga këqyrja e banesës, si dhe nga sendet dhe provat e gjetura dyshohet se 81-vjeçari mund të jetë konfliktuar me ndonjë person që e ka patur në banesë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të dëmtimit të shtetasit dhe identifikimin e autorit të dyshuar pjesëmarrës në banesën e të dëmtuarit.
Njoftimi i policisë
"Më datë 08.02.2024, rreth orës 07:05, spitali i Korçës ka njoftuar sallën operative të DVP Korçë se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi G. T., rreth 81 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Korçë. Menjëherë në banesën e 81-vjeçarit ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se as dera e banesës dhe as dritaret e saj, nuk janë të dëmtuara. Nga këqyrja e banesës, si dhe nga sendet dhe provat e gjetura dyshohet se 81-vjeçari mund të jetë konfliktuar me ndonjë shtetas që e ka patur në banesë", njofton policia.