
Ambasada amerikane i është përgjigjur Top News, lidhur me marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh për armatimin e Shqipërisë.
“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë një partneritet të fortë dhe afatgjatë si aleatë në NATO, dhe ne e inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë të investojë në mbrojtjen tonë kolektive.
Programi i Financimit të Huaj Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF) është një instrument kyç në këtë partneritet, duke ofruar asistencë në formën e granteve ose kredive për të ndihmuar Shqipërinë të blejë pajisje ushtarake amerikane, shërbime dhe trajnim.
Që nga viti 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Shqipërisë rreth 80 milionë dollarë në grante FMF dhe 5 milionë dollarë përmes programit International Military Education and Training (IMET), për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse.
Kjo mbështetje tashmë shoqërohet me kredinë e saposhpallur prej 302 milionë dollarësh në kuadër të FMF-së, duke pasqyruar zgjerimin e bashkëpunimit tonë në fushën e mbrojtjes.
Kjo asistencë çon përpara disa prioritete të përbashkëta: forcimin e ndërveprueshmërisë sipas standardeve të NATO-s, nxitjen e ndarjes së barrës brenda Aleancës, përforcimin e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e bazës industriale të Shteteve të Bashkuara përmes blerjes së pajisjeve të mbrojtjes të prodhuara në Amerikë.
Përveç kësaj, Garda Kombëtare e shtetit të New Jersey-t ka një partneritet 25-vjeçar me Forcat e Armatosura të Shqipërisë në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), duke mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe duke vazhduar edhe sot me trajnime dhe dislokime të përbashkëta.
Së bashku, këto programe pasqyrojnë një partneritet të fortë në fushën e mbrojtjes, i cili vazhdon të forcojë modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë dhe aftësinë e saj për të përmbushur angazhimet që ka në kuadër të NATO-s”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane për Top News.
Kujtojmë që kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër nga Partia Demokratike.