Hetimi për Tunelin e Llogarasë, SPAK do t'u komunikojë akuzë edhe ish-kreut të ARRSH Evis Berberit dhe drejtorit të KESH

3 Nëntor 2025, 11:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gentian Gjyli, Belinda Balluku, Evis Berberi dhe Erald Elezi

SPAK ka marrë të pandehur edhe kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli për shkeljet me tenderin me fond limit 190 mln euro pa TVSH për tunelin e Llogarasë.

Kreu i ARRSH u paraqit në SPAK, paraditen e sotme, ku sipas burimeve iu komunikua akuza shkelje e barazisë në tenderë. E njëjta akuzë për të cilën të premten u mor e pandehur edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Gjyli preferoi të mos japë asnjë koment para mediave dhe nuk iu përgjigj as pyetjes nëse është marrë i pandehur, ndërkohë, avokati i tij në një përgjigje shkurt konfirmoi se në SPAK kishin shkuar për hetimet për tunelin e Llogarasë.

Por gjithashtu mësohet se SPAK do t’i komunikojë akuzën e shkeljes së barazisë në tenderë edhe ish-kreut të ARRSH, Evis Berberit, drejtorit të KESH Erald Elezit si dhe dy shtetasve, në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Hetimi i SPAK ka të bëjë me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë -Sarandë.


Video