Gjykata e Lartë vendos, "21 Janari" kalon në seancë gjyqësore me dëshmitarë dhe kamera

27 Shkurt 2024, 15:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 12 mars për shqyrtimin e çështjes së ‘21 Janarit’, e cila do të zhvillohet në një seancë gjyqësore dhe jo në dhomë këshillimi.

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, në një seancë gjyqësore me praninë e palëve më datë 12 Mars 2024, ora 13:00, ku pritet të caktohet nëse çështja do të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme.

Kolegji vlerësoi të nevojshëm dëgjimin e palëve për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore.

Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.

“Shqyrtimin e çështjes me nr. 70022-00558-00-2023 akti, me datë regjistrimi 13.09.2023, në seancë gjyqësore me praninë e palëve më datë 12 Mars 2024, ora 13:00. Urdhërohet sekretaria pranë Gjykatës së Lartë që të njoftojë palët pjesëmarrëse në gjykim”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës.


Video