GJKKO dënon me nga 3 vite burg dy ish-inspektorët e IKMT-së, dënimi konvertohet në shërbim prove (EMRAT)

24 February 2026, 16:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
GJKKO dënon me nga 3 vite burg dy ish-inspektorët e IKMT-së,
Klajdi Zhilla

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar këtë të martë, më 24 shkurt, me nga tre vite burg dy inspektorët e IKMT-së K.Zh si dhe G.F, të cilët u arrestuan në gusht të vitit 2025, të akuzuar për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim.

Vendimi vjen pas një procesi të zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe si rrjedhojë e këtij gjykimi, secilit prej të pandehurve iu ul 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me nga 2 vite burgim.

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në provë për një periudhë 2-vjeçare, me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale dhe të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës.

Po ashtu, ndaj tyre u caktua dënimi plotësues “heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike” për 5 vite.

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flojera Davidhi dhe Bib Ndreca urdhëroi gjithashtu heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm të të pandehurve, nëse nuk mbahen për llogari të një vendimi tjetër.

Rasti për përfshirjen e punonjësve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në korrupsion, u zbulua pas denoncimit nga pronari i një objekti ku ishte konstatuar një tendë pa leje, në Kombinat.


Video