Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është zyrtarisht i pandehur për çështjen e Gërdecit dhe ditën e sotme nis gjyqi ndaj tij.
Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e parë gjyqësore ndaj Mediut. GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar, ndërkohë Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.
Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Argumenti kryesor mbrojtjes i Mediut është se sipas tij, vepra penale për të cilën akuzohet, shpërdorimi i detyrës, është parashkruar sipas nenit 66 të Kodit Penal, pasi kanë kaluar më shumë se sa 10 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur.