Prokuroria e Tiranës i ka përcjellë sot Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin për ekstradimin e të shumëkërkuarit Dritan Rexhepi, i arrestuar pak ditë më parë në Turqi.
"Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacion me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradim nga Turqia në Shqipëri të shtetasit Dritan Rexhepaj.
Ky shtetas, është shpallur në kërkim ndërkombëtar në janar 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shpallur Dritan Rexhepajn fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, “vrasjes me dashje”, të kryer në bashkëpunim, dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal", njofton Prokuroria e Tiranës.
Dritan Rexhepi, i cili konsiderohet si një prej shqiptarëve më të fuqishëm në trafikun ndërkombëtar të kokainës, mund të kërkohet të ekstradohet nga Turqia drejt Italisë.