Marsel Hysa, personi që shikoni në fotografinë e siguruar nga newsbomb.al, është ish-polici bashkiak nga Memaliaj, i cili mëngjesin e djeshëm është vetëhedhur nga kati i tretë i Spitalit të Traumës duke ndërruar jetë në vend.
Rreth orës 05.30 të mëngjesit të djeshëm, datë 25 shkurt, Marsel Hysa është hedhur nga dritarja e dhomës ku po kurohej në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë.
Një ditë para se të ndërmerrte aktin ekstrem, ai ishte vetëplagosur me thikë në Tepelenë dhe me urgjencë ishte sjell në kryeqytet, për mjekim më të specializuar.
Një grup hetimor është ngritur nga Policia e Tiranës dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht, është bërë e ditur se 47 vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor, dhe sipas deklarimeve të familjarëve ka tentuar të vetëvritet dhe më parë.
Trupi i pajetë i Marsel Hysës është marrë nga familjarët dhe sot ai është përcjell për në banesën e fundit, në qytetin e tij në Memaliaj.
Deri në verën e vitit 2023, viktima ka qenë në punë në Bashkinë Memaliaj, si polic bashkiak.
Njoftimi i policisë:
Më datë 25.02.2024, rreth orës 05:30, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i 3-të i Spitalit të Traumës, shtetasi M. H., 47 vjeç, i cili si pasojë e dëmtime të marra ka ndërruar jetë.
Ky shtetas është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital, më datë 24.02.2024, rreth orës 12:00, pasi është vetëplagosur me mjet prerës thikë, në Tepelenë.
47-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor, dhe sipas deklarimeve të familjarëve ka tentuar të vetëvritet dhe më parë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.