
Agjencia për Media dhe Informim e ngritur nga qeveria me ligj të posaçëm dhe e kritikuar nga aktorët vendas dhe të huaj të medias e shoqërisë civile ka nisur edhe formalisht punën.
Agjencia e re, e quajtur “MIA” sipas akronimeve të emrit në anglisht të saj ka shpërndarë këtë të shtunë videon dhe paketën e Ramës, që e quan “Rezistenca Sociale”.
Kjo agjenci, në krye të së cilës është vendosur këshilltari për komunikimet i Kryeministrit, Endri Fuga centralizon informacionin, duke detyruar çdo zëdhënës institucionesh të tjera të raportojnë te kjo agjenci.
Agjencia në fjalë është kritikuar nga shoqatat dhe organizatat vendase dhe ndërkombëtare të medias, që thonë se përmes centralizimit të informacionit do të goditet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve.
Ajo po nis punën në ditë të vështira për Qeverinë, që po përballet me protesta kundër rritjes së çmimeve. Rama ka refuzuar kategorikisht uljen apo heqjen e taksave dhe premtoi një pagesë prej 3 mijë lekësh në muaj për tre muaj me radhë për shtresat më në nevojë të vendit.
