Një agjente postare është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi akuzohet për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Në kuadër të operacionit "Postmail" është vënë në pranga shtetsasja Alma Beqiri, 46 vjeçe, banuese në Korçë.
Pas një hetimi 2 mujor ka rezultuar se ajo përfitonte shuma të konsiderueshme monetare, duke mos arkëtuar pagesat e klientëve që merrnin shërbimin postar, tek kompania private në të cilën ishte e punësuar agjente e shërbimeve postare private.
"Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se kjo shtetase, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro. 46-vjeçarja, me detyrë agjente e shërbimeve postare private, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim." thuhet në njoftimin e bluve të Korçës.
Autoritet policore bëjnë me dije se shumën e konsiderueshme të përfituar, Alma Beqiri dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar dy automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.
Policia njofton se vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.