
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 22-vjeçar, pasi u kap në flagrancë me dhjetëra doza kokaine të përgatitura për t'u tregtuar.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Në pranga ka rënë 22-vjeçari Leonard Limani.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, si rezultat i hetimeve të bazuara në informacionet policore, shërbimet e DVP Durrës kanë finalizuar një tjetër operacion policor, të koduar “Porcione”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. L., 22 vjeç, banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në një vend të përshtatur për të fshehur lëndën narkotike, gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në dhjetëra porcione, gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme