Dy ditë pas plagosjes së kamarierit 15-vjeçar në një piceri në rrugën Ali Demi në Tiranë, policia ka arrestuar sot autorin e ngjarjes.
Shërbimet e Komisariatit Nr.1 në kryeqytet bën të mundur prangosjen e 21-vjeçarit Aldo Neziri.
Ai akuzohet për plagosje të rëndë me dashje me pistoletë 'stilolaps' si dhe për armëmbajtje pa leje.
Në kërkim është shpallur administratori i picerisë si dhe janë ndaluar tre punonjësit, pasi dyshohet se kanë fshehur pajisjen “DVR”, për të fshirë pamjet e kamerave të sigurisë, duke penguar në zbardhjen e ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Plagosi me armë atipike, për motive të dobëta 15-vjeçarin në një piceri te “Ali Demi” si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar edhe në inteligjencën policore, kapet dhe vihet në pranga nga Policia.
Dje u arrestuan edhe 3 punonjës të picerisë, pasi dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. Vijon puna për kapjen e administratorit të picerisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar në inteligjencën policore, kapën dhe ndaluan shtetasin A. N., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i tij u bë pasi, më datë 01.06.2025, në një piceri te “Ali Demi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, plagosi me armë atipike një 15-vjeçar.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të 21-vjeçarit.