Dyshohet se vranë një person në vitin 2018 në Dibër, arrestohen në Gjirokastër 2 vëllezërit!

19 Janar 2026, 13:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Twins”, duke arrestuar dy vëllezër të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e një shtetasi, ngjarje e ndodhur në qarkun Dibër në vitin 2018.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Si rezultat i hetimeve të thelluara, policia siguroi prova se dy shtetas të dyshuar për vrasjen strehoheshin në qytetin e Gjirokastrës. Bazuar në këtë informacion, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve Kelmend Krusa, 39 vjeç, dhe Klodian Krusa, 39 vjeç, vëllezër, banues në Gjirokastër.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre, shërbimet e policisë sekuestruan 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pushkë), municion luftarak, 3 krehëra, 1 thikë, 1 maskë si dhe 3 aparate celularë.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në vrasjen e vitit 2018 apo në ngjarje të tjera kriminale. 


Video