Dosja e vëllezërve 'Çopja'/ Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu paraqitet GJKKO për masën e sigurisë

2 Gusht 2024, 10:12Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu paraqitet GJKKO

Në GjKKO do të bëhet sot vlerësimi i masave të sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit ‘Plumbi i artë 2” që zbuloi dhe aktivitetin e organizatës kriminale të vëllezërve Çopja në Elbasan.

Në orën 09:30 minuta në GJKKO u paraqit Pajtime Fetahu, ish-gjyqtarja e Elbasanit. Ndaj saj më 29 korrik 2024 GJKKO ka caktuar masën e sigurisë 'arrest me burg'.

Po sot do të jepen masat e sigurisë dhe për 12 të tjerë.  

Në njoftimin e bërë publik dje SPAK bënte me dije se vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, me kalimin e viteve kishin arritur të fuqizoheshin ekonomikisht dhe si rrjedhojë dhe pozitat e tyre në raport me grupet e tjera në trafikun e drogës në Europë e jo vetëm. 

Organizata e tyre ishte në qendër të operacionit të organizuar të mërkurën, 31 korrik, me 33 urdhra arresti, nga të cilët u ekzekutuan 13 në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar më herët jashtë vendit. Pjesa tjetër  rezuton të jenë larguar prej kohësh nga Shqipëria.

Organizata, thotë SPAK kishte arritur të rekrutonte edhe dy punonjës të policisë së shtetit dhe një punonjëse në gjykatën e Elbasanit që u jepte informacione sekrete.

Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë vetëm disa prej krimeve më të rënda të cilat SPAK ka zbardhur dhe thotë se kanë për autorë organizatën kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja Elbasani.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme u çuan përpara falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol dhe autoritetet holandeze, belge dhe franceze.

Prokuroria dje nuk bëri të ditur emrat e personave të arrestuar, por në ditën e operacionit u mësua se mes personave për të cilët ishin firmosur urdhërarrest ishte edhe ish gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, shefi i krimeve në Durrës Agustin Cinari si dhe nëndrejtori i Burgut të Bradasheshit Martin Musaj. Urdhra arresti ka patur dhe për dy punonjës të tjerë policie, ndërkohë që rezulton e përfshirë dhe një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Elbasanit.

Video