DOSJA 5D/ Belind Këlliçi në GJKKO: Kam bërë me qindra denoncime publike, informacionet i merrja nga mediat

25 September 2025, 10:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
DOSJA 5D/ Belind Këlliçi në GJKKO: Kam bërë me qindra
Belind Këlliçi

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në procesin gjyqësor të njohur si “5D”. Ai iu përgjigj pyetjeve të avokatit Ardian Leka, mbrojtës i Mariglen Qatos, duke sqaruar mënyrën se si ka siguruar dhe publikuar informacionet që lidhen me këtë çështje.

Këlliçi tha se shpesh në selinë e PD kanë mbërritur zarfe me dokumente, të cilat regjistroheshin sipas procedurës nga personat që ishin në recepsion. “Vijnë informacione të tilla, shpesh rezultojnë të vërteta, shpesh jo. Ka ardhur një zarf dorazi, është protokolli që s’merrem unë, drejtohuni Partisë Demokratike. Kush ka turnin, është në recepsion”, deklaroi ai.

Ai shtoi se përmes faqes së QKR-së ka ndjekur kompanitë e përmendura dhe ka bërë lidhjen me konfliktet e interesit, çka e ka shtyrë të bëjë denoncime publike. “Kam arritur përmes faqes së QKR  fillimisht të ndjek kompaninë, kam bërë lidhjen e konfliktit të interesit dhe kam bërë një deklaratë publike. Do kisha kërkuar të njihesha me procedurën se si bëhen pyetjet e nderuar gjykatë. Duhet të kuptoni, kam bërë me qindra denoncime publike që përmbajnë emra e të dhëna dhe s’është e thjesht t’i kujtoj specifikisht të gjitha. Duhet kuptuar koha, situata që janë bërë këto dokumente, pasi kam siguruar të dhëna që i kam parë me interes publik i kam denoncuar. Të dhënat që kam verifikuar që NIPT-et qëndronin, të afërmit qëndronin, kam reaguar dhe denoncuar, kam bërë kallëzim dhe i keni aty” tha Këlliçi.

Në dëshminë e tij, Këlliçi sqaron se informacionet  vinin kryesisht nga media dhe emisionet investigative.

“Në infot që kam pasur bëhej fjalë për Tushen, Qaton, Mollën e më vonë infot që vinin në mos gaboj ishte Mazniku dhe Kacidhja. Duhet t’i verifikoj dy të fundit pasi ishin një sërë drejtorësh që përfliteshin që ishin pjesa e kësaj skeme. Unë njihesha me informacione nga media dhe politika. Skema zbërthehej çdo ditë në emisione investigative, se si funksiononte ky rrjet”, tha deputeti i PD.

Në këtë pikë, prokurori Klodian Braho ndërhyri, duke sqaruar se procesi i pyetjeve nuk mund të shndërrohet në llogaridhënie apo në pyetje mbi mendime politike, por vetëm mbi kallëzimet dhe denoncimet që Këlliçi ka bërë në mënyrë proceduriale.

Seanca është pjesë e fazës përfundimtare të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, mes të cilëve sot është thirrur edhe Arbjan Mazniku.


Video