Studiuesi i monumenteve, Gjerak Karaiskaj thotë se “dhënia me koncesion e Parkut Kombëtar të Butrintit tregon se shteti shqiptar ka falimentuar në administrim.”
Sipas tij, më e mira do ishte që Parku Kombëtar i Butrintit të administrohej nga shteti shqiptar.
“E mira do ishte që Butrinti të vazhdonte të administrohej nga shteti shqiptar, sepse ka specialistë që mund ta bëjnë këtë punë. Këtu tregohet që shteti shqiptar ka hequr dorë, ka falimentuar në administrimin e Butrintit. Pra, diçka nuk e bën dot. Shteti heq dorë dhe ia jep një privati”, tha Karaiskaj për emisionin “Sot” në “Euronews Albania”.
Pasditen e së mërkurës u zhvillua një takim konsultativ me anëtarë të Komisionit të Ekonomisë dhe ekspertë të Trashëgimisë Kulturore në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, lidhur me këtë çështje.
Parku Kombëtar i Butrintit pritet të administrohet nga një fondacion që do të krijohet në bashkëpunim të qeverisë shqiptare me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.