Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e një ditë më parë në fshatin Zëmblak, Maliq, ku burri qëlloi për vdekje gruan e tij.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se autori, Gjergji Mullalli ka vrarë gruan e tij, Luiza për motive xhelozie e më pas e ka hedhur në një gropë septike, pranë banesës së saj.
Autori ia ka dalë që të largohet nga vendi i ngjarjes, teksa policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tij.
55-vjeçari punonte në ndërtim, ndërsa viktima ishte e punësuar në një rrobaqepësi në Korçë. Sipas familjarëve të viktimës, autori konsumonte shpesh alkool. Çifti ishin prindër të 3 fëmijëve, 2 vajza dhe një djalë.
Ndaj 55-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
“Maliq, Korçë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme i cili bën fjalë për një vrasje të ndodhur në fshatin Zëmblak, Maliq, ju informojmë se:
Specialistet e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me këtë ngjarje referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin Gj. M., 55 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij shtetasen L. M., 46 vjeçe, të cilën më pas e ka hedhur në një gropë septike, pranë banesës së saj.
Nga ana e Policisë po vijon puna intensive për kapjen e autorit të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.