Deputeti i PD publikon videot nga Durrësi: Përmbytjet nuk janë fatkeqësi natyrore, por pasojë e keqmenaxhimit ndër vite

6 Janar 2026, 11:18Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arian Ndoja

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Arian Ndoja, ka ngritur alarmin për situatën e rënduar të krijuar nga përmbytjet në qytetin e Durrësit, duke e cilësuar atë jo si një fatkeqësi natyrore, por si pasojë të drejtpërdrejtë të neglizhencës dhe dështimit institucional ndër vite.

Në një reagim publik, Ndoja thekson se problematika më e theksuar paraqitet në lagjen nr. 17, ku reshjet kanë vënë në vështirësi të mëdha jetën e përditshme të banorëve.

Sipas tij, kjo situatë ka qenë e paralajmëruar prej kohësh dhe institucionet përgjegjëse kanë qenë në dijeni, por nuk kanë ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete për ta parandaluar.

Deputeti shprehet se çështja është ngritur disa herë edhe në Kuvend, por pa asnjë reagim apo zgjidhje nga autoritetet përkatëse.

Ai nënvizon se kanalet e kullimit janë lënë të papastruara, ndërsa hidrovori kryesor është zhvendosur dhe funksionon në kundërshtim me standardet teknike, pasi ndodhet në një nivel më të lartë se ai i mëparshmi, duke e bërë thuajse të pamundur kryerjen e funksionit të tij.

Postim i Arjan Ndojës

Të nderuar miq!
Me shumë keqardhje ju informoj për situatën e rëndë që kalon Durrësi sot.

Kjo situatë paraqitet në zonën e lagjes 17 Durrës.

Është kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar dhe jo katastrofë natyrore.

Është problem që e kam ngritur edhe në Kuvend disa herë, por strukturat nuk kanë marrë asnjë masë. Kanalet janë te papastruara.

Hidrovori i madh u zhvendos dhe është në kundërshtim me rregullat teknike, për shkak të vendosjes në një pikë niveli më të lartë se sa ai ekzistuesi.

Kjo është fatkeqësi njerëzore dhe mungese trajtimi e problemit ndër vite nga strukturat përgjegjëse.

Bashkia ka rolin kryesor në lidhje me hartimin e projekteve për këtë zonë dhe Ministria e linjës që ka për detyrë të menaxhojë kanalet e kullimit dhe hidrovorin.

Më vjen keq që e transmetoj këtë lajm të trishtë që vjen si rezultat i keqmenaxhimit dhe mungesës së efiçencës së organeve te qeverisjes vendore dhe qëndrore.

Sot vetëm emergjencat civile mund te jenë prezente, por problemi është i pa zgjidhur.

 


Video