Partia Demokratike zhvilloi sot pasditen protestën e parë të vitit 2026 para godinës së Kryeministrisë.
“Urime për opozitarët dhe shqiptarët për një vit të mbarë. Vit i lirisë dhe rikthimit të vlerave themelore të njeriut, të grabitura, të përzëna në mënyrën më të egër nga njeriu që është bërë simbol i dikatorit të Venezuelës, që në të gjitha kontinentet quhet Ramaduro”, tha lideri i PD-së, Sali Berisha, në nisje të fjalës së tij.
Berisha u ndal fillimisht tek 35 vjetori i themelimit të gazetës së parë opozitare, “Rilindja Demokratike”.
“Festë e pluralizmit, mendimit dhe fjalës së lirë. Festa e jetës, e cila pa fjalën e lirë është një jetë shkretëtirë, pa dinjitet”, tha Berisha.
Sipas kryedemokratit, viti 2026, ngjason shumë në histori me periudha të rrëzimit të diktaturave komuniste, ndërsa lavdëroi operacionin amerikan në Venezuelë, duke e cilësuar si “më të mirin në histori”.
“Ky akt solli ngricë të madhe, tmerr e terror në Surrel. Edi Rama ngriu, e kyçi dje podcast-in e tij, se çeli një fjalë goje. Ua them unë ju pse ky është Ramaduro, njësoj si Maduro, mandatet e tij qëndrojnë mbi krimin. I lidhur direkt me kartelet më të fuqishme në Europë”, tha Berisha për Ramën.
Lideri e PD e kërcënoi kryeministrin Rama se “forcat Delta (njësia kryesore e misioneve speciale të ushtrisë amerikane) në Shqipëri” janë ata që dalin në shesh për të protestuar.
“Ja ku i ke Deltat Ramë, priti në Surrel sapo të marrin urdhrin”, përfundoi Berisha.
Kjo ishte foltorja e shtatë në radhë e demokratëve kundër qeverisë, ndërsa Berisha nuk ka përjashtuar forma të tjera të aksionit politik, përfshirë nisma paralele apo akte ekstreme të ngujimit.