
Policia e Korçës po vijon hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Bulgarec, ku trupi i 78-vjeçarit Gëzim Vija u gjet sot i pajetë brenda banesës dhe me plagë në kokë.
Viktima është baba i katër fëmijëve dhe prej më shumë se dy dekadash jetonte i vetëm.
Dyshohet se ai është vrarë, por nuk përjashtohet as mundësia që të jetë rrëzuar dhe të ketë goditur kokën.
Policia e Korçës ka shoqëruar disa persona në lidhje me vrasjen e mundshme të tij.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se autori mund të ketë pasur njohje me viktimën, çka mund të ketë bërë të mundur hyrjen në banesë me pëlqimin e tij.
Pas kryerjes së krimit, i dyshuari dyshohet se është larguar duke mbyllur me çelës derën e jashtme të banesës.
Kjo ka shtyrë policinë të marrë në pyetje persona që kishin njohje të afërt me të moshuarin, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gëzim Vija, 78 vjeç, i divorcuar dhe që jetonte vetëm prej 25 vitesh, u gjet i pajetë brenda banesës ditën e sotme (2 prill), teksa hetimet për dinamikën dhe shkaqet vijojnë.