A rrezikohet Shqipëria seriozisht nga Irani? Ja çfarë ish-këshilltari I Donald Trump për sigurinë

2 April 2026, 14:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

A rrezikohet Shqipëria seriozisht nga Irani? Ja çfarë

Ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Donald Trump, John Bolton, ka ngritur shqetësime serioze mbi zhvillimet e fundit të luftës në Iran, duke theksuar mungesën e një strategjie të qartë nga administrata aktuale amerikane.

Në një intervistë për Euronews Albania, Bolton deklaroi se paqartësia mbi objektivat e luftës e bën situatën të paparashikueshme dhe rrit rrezikun e një konflikti të zgjatur. Sipas tij, fillimisht synimi dukej të ishte ndryshimi i regjimit në Iran, por mesazhet kontradiktore nga Washingtoni kanë krijuar konfuzion.

“Është e vështirë të thuhet se cilat janë objektivat realë të Trump. Ai ka folur për tërheqje, për shpallje fitoreje dhe për ndryshim regjimi, por këto nuk përputhen mes tyre”, u shpreh Bolton.

Ai theksoi se rrëzimi i regjimit iranian mbetet objektivi i vetëm që mund të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar regjimin aktual si kërcënim për shkak të ambicieve bërthamore dhe mbështetjes ndaj terrorizmit ndërkombëtar. Megjithatë, ai pranoi se ky është një objektiv i vështirë për t’u arritur dhe kërkon mbështetje të jashtme për opozitën iraniane.

Sipas Bolton, regjimi në Iran është dobësuar ndjeshëm, me humbje të konsiderueshme në radhët e drejtuesve dhe strukturave si Garda Revolucionare, por ende nuk është rrëzuar. Ai paralajmëroi gjithashtu për mundësinë e një periudhe kaotike pas një ndryshimi të mundshëm pushteti.

Duke folur për kohëzgjatjen e konfliktit, Bolton theksoi se një luftë disa javore nuk është e mjaftueshme për të rrëzuar një regjim 47-vjeçar, duke shtuar se vendosja e afateve artificiale mund të favorizojë Teheranin.

Në analizën e tij, Bolton ndaloi edhe te pasojat për aleancat ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, si dhe ndikimin në Shqipëri. Ai paralajmëroi se vendi mund të përballet me rreziqe për shkak të strehimit të opozitës iraniane, por njëkohësisht theksoi se Shqipëria meriton mbështetje të veçantë nga aleatët për garantimin e sigurisë së saj.

Deklaratat e Bolton vijnë në një çast kur Ambasada amerikane në Tiranë ka lëshuar një alarm për sulme të mundshme nga Irani ndaj subjekteve dhe strukturave të lidhura me SHBA-të, përfshi edhe kampin e muxhahedinëve në Manzë.

Strukturat shtetërore ndërkaq janë ngritur në gatishmëri të situatës, por duke theksuar se nuk ka aktualisht një rrezik të tillë sipas të dhënave.


Video