
Marsel Buçi i cili ka qenë në një konflikt të vazhdueshëm me Deiz Arapin, për djegien e makinës së tij, ka përfunduar mbrëmjen e djeshme në komisariat.
Në komisariat ai pretendon se shefi i Krimeve të komisariatit të Devollit ka ushtruar dhunë gjatë kohës që kanë qenë në zyrën e tij, për këtë arsye e ka denoncuar Pashk Syzikun.
Në lidhje me këtë situatë Marsel Buçi ka deklaruar se pas konfliktit me Deiz Arapin, e cila e ka kërcënuar dhe provokuar që ta godiste, është kërkuar nga policia.
Më pas ai ka shkuar në zyrën e shefit të Krimeve, ku në prezencë të një polici, Pashk Syziu ka nisur ta godasë me grushte dhe shkelma.
“Mbrëmë kam dalë për kafe dhe jam konfliktuar me fjalë me Deizi Arapin, e cila me ka kërcënuar dhe provokuar që unë ta godisja por nuk kam reaguar. Pas debatit më njoftuan nga familja që policia po më kërkonte në shtëpi, erdha në banesë dhe më shoqëruan në komisariat. Atje, në zyrën e shefit të krimeve, ku ishte prezent edhe një punonjëse policie, shefi i krimeve pa asnjë shkak më ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me grushta dhe shkelma. Në zyrë ka qenë edhe Deizi Arapi, hargalisej e qeshte. Ndihem keq. Më ka dhunuar në pjesën e gjoksit, në kokë, ishte i dehur, vinte era alkool, i thosha mos më godit të lutem reflekto. Nuk më linte të flisja e të shpjegohesha më ka goditur”, u shpreh ai.
Pavarësisht situatës, Marsel Buçi ka deklaruar se nuk ka reaguar, por më pas ka bërë një denoncim pasi ndihet i kërcënuar.
“Nuk kam reaguar dhe kam qëndruar i qetë derisa hyri në zyrë një tjetër punonjës policie i cili e qetësoi situatën. Më pas shkoj te drejtoria e policisë dhe bëj denoncimin në AMP. Ndihem i kërcënuar, jam shumë i prekur nga kjo situatë dhe ndihem i pasigurt dhe jo i qetë. Në komisariat mbrëmë mbërriti edhe avokati im, dhe deputeti i Bilishtit Bledjon Nallbati”, shtoi më tej ai.
Sipas Marselit e gjithë skena ka ndodhur në prezencë të Deiz Arapit, ndërsa shefi i Krimeve që e ka dhunuar ka qenë në gjendje të dehur.