Avokatja e Popullit: Prokuroria dhe Gjykata marrin masa ekstreme sipas presionit të opinionit publik

5 March 2025, 22:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Avokatja e Popullit: Prokuroria dhe Gjykata marrin masa ekstreme sipas presionit
Erinda Ballanca

Në Shqipëri, plot 80 % e kërkesave të Prokurorisë për masën “arrest me burg” miratohen nga gjykatat.

Një statistikë drastike e cila ka mbipopulluar qelitë me të paraburgosur. Plot 62 % e njerëzve të izoluar në burgjet shqiptare janë të paraburgosur, një shifër plot 2,3 herë më e lartë se norma e Bashkimit Evropian.

Në puntatën e kësaj të mërkure, Inside Story ka sjellë një investigim të zgjeruar për dorën e hekurt të sistemit, shpesh herë në shkelje të ligjeve, rrethanave apo gjendjes së personit të arrestuar.

Statistikat e krimit flasin për një numër të jashtëzakonshëm të shqiptarëve që kanë provuar prangat.

Sipas të dhënave të mbledhura nga qendra Fol duke filluar nga viti 1990, plot 370 mijë shtetas shqiptarë janë dënuar dhe kanë vuajtur masën e dënimit në një institucion penitenciar.

Ashpërsimi i kodit penal dhe një qasje kulturore që kërkon që çdo person të përfundojë pas hekurave, për ekspertët ka bërë që njerëzit e drejtësisë të kërkojnë gjithnjë e më shumë masën e arrestit me burg.

“Sistemi vazhdon të jetë nën një presion shumë të madh në lidhje me atë që është opinion publik. Pas hekurave që në momentin që nis një hetim për ta, në disa raste është i duhuri por në disa raste unë vlerësoj mund të kishte edhe masa të tjera sigurimi”, u shpreh Erinda Ballanca, Avokati i Popullit

“Unë mendoj se dënimet tona penale të ashpra për rastet kur ka edhe interferenca të opinionit publik e detyrojnë trupën gjykuese dhe prokurorin të kërkojnë caktimin e masave ekstreme, ndikon jashtëzakonisht shumë në jetën, në shëdetin psikologjik dhe shkatërron edhe familjen e tij. Krijon një imazh të gabuar me aplikimin e drejtësisë dhe misionin e saj në vetvete”, u shpreh avokati, Anton Kosteri.

“Është e nevojshme që arresti në burg të kuptohet drejt nga e gjithë shoqëria shqiptare, pasi politika penale duhet të jetë humane. Qëllimi i një dënimi është rehabilitimi, jo për ta ndëshkuar dhe ta bëjmë të vuajë”, u shpreh Erinda Skëndaj.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, u evidentuan rreth 34 mijë vepra penale, ku u përfshinë 40 mijë autorë. Nga këto rreth 14 mijë persona u morën të pandehur.

Për 24 mijë prej veprave u regjistruan procedime penale, nga të cilat 26,5 % u pushuan, 31 % u pezulluan dhe 42,5 % u dërguan për gjykim në gjykatë.

Pikërisht ky numër i lartë i veprave që marrin burgim për ekspertët ngre pikëpyetje për një keqpërdorim të pushtetit nga ana e prokurorëve.

“Pushteti për të ndarë lirinë nga burgu është i jashtëzakonshëm, prokurori ka një pushtet të jashtëzakonshëm. Unë nuk di të ketë një skanim, nga KLP, në lidhje me përdorimin e këtij pushteti. Fakti që ne sot flasim për Shqipërinë si një vend që i ka në burgjet e veta më shumë se gjysma, që po prezumohen të pafajshme, flet në favor të tezës që prokuroria abuzon me pushtetin që ka”, u shpreh Gerti Shella, INFOCIP.


Video