
Pas shtyrjes së seancës në Gjykatën e Apelit për një detaj formal, kanë reaguar avokatët e Erion Veliajt, duke ngritur shqetësime serioze për thelbin e çështjes.
Në deklaratën për mediat, ata theksojnë se vendimi i shkallës së parë po deformon parimin e përgjegjësisë individuale, duke e kthyer paraburgimin në një masë me efekt kolektiv, në kundërshtim me ligjin dhe standardet e drejtësisë.
Ata theksojnë se vendimi i gjykatës së shkallës së parë përbën një precedent të rrezikshëm, pasi e shndërron pezullimin e afateve të paraburgimit në një formë ndëshkimi kolektiv.
“Një sjellje procedurale individuale, në këtë rast e mbrojtëses së një subjekti tjetër, është përdorur për të zgjatur kufizimin e lirisë së personave të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me atë situatë, duke e kthyer një masë thelbësisht individuale në një mekanizëm ndëshkimi kolektiv. Ligji është i qartë: pasojat procedurale lidhen drejtpërdrejt me sjelljen e individit konkret”, theksojnë avokatët.