Arrestohen në Itali dy vëllezërit shqiptarë, do të ekstradohen në Shqipëri

26 August 2025, 14:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arrestohen në Itali dy vëllezërit shqiptarë, do të
Foto ilustruese

Policia e Shtetit njoftoi se dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin në vendin tonë, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

“Si rezultat i sigurimit të informacionit nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij, në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës, me Policinë italiane, janë lokalizuar dhe kapur në Itali dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë (vëllezër) të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, tha policia.

Të arrestuarit janë:

-E. H. alias E. L., 35 vjeç. Gjykata e Durrësit, në muajin janar 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, më datë 07.02.2021, ka vjedhur me dhunë, një automjet, një shumë parash dhe një celular, në ambientet e një fabrike qumështi. Gjithashtu, ka ndihmuar të fshihej shtetasin H.H, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve";

K. H., 31 vjeç. Gjykata e Dibrës, në muajin korrik 2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike". Në vitin 2019, shtetasi K. H. është kapur në flagrancë brenda një sere në Martanesh, ku kishte kultivuar fidanë narkotikë në 1324 gota plastike. Nga dënimi, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur dhe 1 vit, 6 muaj e 15 ditë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.


Video