
Në raportin e saj të fundit, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka ngritur alarmin për një sërë shkeljesh të vazhdueshme dhe të thella të të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Raporti që disponohet nga Vox News thekson probleme serioze në sektorin e shëndetësisë, dhunën në familje, kushtet në burgje, lirinë e medias, të drejtat e azilkërkuesve dhe diskriminimin ndaj pakicave.
Një nga çështjet më të rënda të raportuara është fakti që pacientët me kancer u privuan nga trajtimi falas në spitalin publik "Nënë Tereza" në Tiranë. Mjekë të këtij institucioni i kanë referuar pacientët në klinikat e tyre private me pagesë. Ndaj mjekëve të përfshirë janë marrë masa pezullimi dhe janë duke u zhvilluar hetime. Ndërkohë, Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore kritikoi infrastrukturën e dobët shëndetësore, mungesën e stafit, aksesin e pamjaftueshëm në shërbimet e shëndetit seksual e riprodhues dhe shpërndarjen e pabarabartë të shërbimeve, veçanërisht në zonat rurale.
Rritje e dhunës në familje dhe mungesë mbështetjeje institucionale
Policia raportoi se në 6-mujorin e parë të vitit, 686 gra ishin viktima të dhunës në familje, një rritje në krahasim me një vit më parë. Amnesty thekson se shumë prej tyre detyrohen të kthehen tek dhunuesit për shkak të mungesës së mbështetjes nga institucionet shtetërore. Po ashtu, theksohet se procedura për ndihmë juridike falas mbetet e papërshtatshme dhe duhet reformuar urgjentisht.
Kushtet alarmante në burgje dhe qendrat psikiatrike
Raporti gjithashtu i referohet gjetjeve të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, i cili denoncoi kushtet çnjerëzore në pavionet psikiatrike brenda burgjeve, veçanërisht në burgun e Lezhës. Evidentohet mbipopullimi, mungesa e personelit mjekësor dhe infrastruktura e degraduar. Komiteti i OKB-së për Parandalimin e Torturës shtoi shqetësimet mbi numrin e lartë të personave në paraburgim dhe mospasjen e aksesit të duhur në kujdesin shëndetësor.
Liria e shtypit në rrezik
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Medias 2024 nga “Reporterët pa Kufij”, liria dhe pavarësia e medias në Shqipëri janë të kërcënuara nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike. Gazetarët përballen me frikësim dhe presion nga politikanët dhe krimi i organizuar, ndërsa kuadri ligjor mbetet i mangët dhe me prirje të politizuara.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët ngre shqetësime ligjore
Raporti i Amnesty International denoncon marrëveshjen e ratifikuar me Italinë për ndërtimin e dy qendrave pritëse për azilkërkuesit në Shqipëri. Sipas organizatës, kjo marrëveshje ngre shqetësime për ndalime arbitrare dhe trajtim jo të denjë të refugjatëve.
Diskriminim ndaj romëve, egjiptianëve dhe komunitetit LGBTI+
Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit Racor të OKB-së vë në dukje vështirësitë që hasin komunitetet rom dhe egjiptian në regjistrimin civil, aksesin në shërbime publike dhe shkollim, duke evidentuar raste të segregimit të fëmijëve në disa shkolla.Nga ana tjetër, një martesë simbolike e një çifti të të njëjtit seks në Tiranë shkaktoi reagime të ashpra nga grupime politike dhe fetare, çka u pasua me rritje të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+. Eksperti i Pavarur i OKB-së për të drejtat e këtij komuniteti i kërkoi qeverisë shqiptare të harmonizojë ligjet me realitetin dhe diskriminimin që përjetojnë individët LGBTI në arsim, punësim, shëndetësi dhe jetën e përditshme./VoxNews