Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për shfuqizimin e masës së pezullimit të Belinda Ballukut, Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka reaguar në rrjetet sociale.
Bardhi thekson se “alibitë tashmë kanë rënë” dhe se presioni i Ramës mbi Gjykatën Kushtetuese dhe përpjekjet për të mbrojtur veten dhe Ballukun kanë dështuar. Ai nënvizon se tani Rama nuk ka më ku të fshihet dhe kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut duhet të shqyrtohet urgjentisht nga Kuvendi.
Reagimi i Bardhit:
Alibitë tashmë kanë rënë!
Edi Rama ushtroi presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe ngriti alibi absurde për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun. Të dyja dështuan! Edi Rama u rrëzua në pretendimin e tij për të bllokuar drejtësinë. Njëlloj do të rrëzohet kushdo që pengon drejtësinë.
Tani, Edi Rama nuk ka më ku të fshihet. Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut pret miratimin nga Kuvendi. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit të njoftojë menjëherë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve dhe përfshirjen të enjten në seancë plenare të kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit për ish-Zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku.
Kuvendi nuk mund të mbajë peshën e përgjegjësisë për vonesën e paprecedent të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe për pengimin e drejtësisë.
Koha e manovrave ka mbaruar!