Aksident i rëndë në Vlorë, humb jetën 17-vjeçari. Familjarët: Nuk na japin trupin e djalit!

28 October 2025, 08:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aksident i rëndë në Vlorë, humb jetën
Pamje nga vendngjarja

Një aksident me pasojë vdekjen e një të riu ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Vlorës. Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:10, në bulevardin “Ismail Qemali”, në afërsi të një marketi.

Sipas njoftimeve zyrtare, makina tip Porsche që drejtohej nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, është përplasur me motorin që drejtohej nga Leandro Shametaj.

17-vjeçari u transportua në Spitalin Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Drejtuesi i automjetit, Haiti Bajramaj, është shoqëruar në polici, teksa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.

Dyshohet se i riu që drejtonte makinën mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe me shpejtësi të lartë.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe e mituri ka ndërruar jetë menjëherë.

Të njëjtat burime tregojnë se për shkak të goditjes së fortë, trupi i viktimës është dëmtuar rëndë.

Familjarët e të riut ndodhen në spital, ku po përpiqen të tërheqin trupin e pajetë të djalit.

Ata shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, nuk po marrin asnjë përgjigje nga autoritetet, ndërsa trupi i të ndjerit po mbahet për autopsi.

Aksident i rëndë në Vlorë, humb jetën


Video