Një aksident i rëndë ka ndodhur pak çaste më parë pranë godinës së Kryeministrisë , duke plagosur dy persona.
Mësohet se një makinë tip “Mercedes Benz”, drejtuar nga dy djem të rinj ishte duke lëvizur me shpejtësi nga rruga e Liceut Artistik, kur ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në trotuar.
Makina ka goditur një djalë dhe një vajzë që ishin duke ecur në trotuar, duke i plagosur rëndë.
Mësohet se vajza ndodhet në gjendje më të rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës, ndërsa djali ka marrë plagë të shumta por ndodhet në gjendje më të stabilizuar.
Për fat të mirë, disa qytetarë që ndodheshin aty pranë, kanë arritur t’i ofrojnë menjëherë ndihmën e parë çiftit të plagosur.
Sakaq, të dy djemtë që ndodheshin në makinë kanë marrë plagë joserioze për jetën dhe janë shoqëruar në polici, deri në zbardhjen e plotë të skemës së aksidentit.
Dshmitarët kanë thënë se makina ka qenë me shumë shpejtësi duke dalë jashtë rruge teksa është përplasur me një banderolë dhe më pas ka përplasur çiftin.