
Përfundon aktekspertimi për thasët me pleh organik të zbuluar në fshatin Frakull të Fierit.
Pas ekspertimit ka rezultuar e gjithë sasia drogë e llojit kokainë, me peshë totale 485 kg.
Për drogën e zbuluar janë pas hekurave shtetasit Viktor Çervanaku, ish-kreu i komunës Frakull, Enxhi Ferhati, Klajdi Vrioni, Redion Meshi, Bledar Matoshi si dhe Julian Malaj.
Kokaina e nisur nga Kolumbia u gjet në shtëpinë e Çervanakut, i cili ishte me detyrë drejtor i administratës së OST.
Kokaina kishte nisur rrugëtimin nga Kolumbia dhe ishte stacionuar në banesën e tij në fshatin Frakull e Madhe në Fier, e cila shpejt do të shndërrohej, në një laborator të përpunimit të kokainës, pasi aty do të ‘zbarkonin’ ‘kimistët’ kolumbianë, për të kryer ekstraktimin e saj.
Plani për të transportuar kokainën nëpërmjet thasëve me pleh, nisi të thurej në janar 2022, kur vëllai i Viktor Çervanakut, Zenel Çervanaku, regjistroi një biznes në emër të tij, me aktivitet kryesor import-eksportin dhe tregtimin me shumicë dhe pakicë të plehrave kimike si edhe mallrave të ndryshme, duke përfshirë këtu, fruta të thata, ekzotike, deri te pemë dekorative.
Kjo me qëllim kamuflimin e dërgesës me kokainë, që pesë muaj më pas do të nisej nga Amerika e Jugut në drejtim të Shqipërisë, ku thuhet se Zenel Çervanaku, i njohur si NELI porositi ngarkesën, e cila u nis nga Kolumbia në muajin maj. Më konkretisht nga porti i Buenaventuras.
Rrugëtimi u ndal fillimisht në portin e Pireut në Greqi, ku qëndroi vetëm 3 ditë, për të marrë më pas drejtimin për në portin e Barit apo ndryshe të Tivarit në Malin e Zi, ndalesa e fundit, para se ngarkesa të mbërrinte në Shqipëri.
Por ndërsa dukej se gjithçka po shkonte në përsosmëri me ngarkesën që tashmë ishte ndalur në Portin e Tivarit, nuk duket se ishte kështu për kryedoganierin e portit malazez të mallrave, i cili, duket se nuk u bind nga pesha e mallit, ndaj kërkoi një verifikim të dytë të thasëve me pleh kimik.