Janë zbardhur detaje të reja nga aktiviteti kriminal i grupit italo-shqiptar, të përfshirë mjekë dhe biznesmenë, të cilët lëshonin certifikata të rreme që shqiptarët të shkonin të trajtoheshin falas në Itali, si dhe trafikonin barna me përmbajtje narkotikësh.
Mësohet se dy medikamentet që kontrabandonte ky grup shërbenin për trajtimin e Covid-19 dhe kanë qenë ndër më të rrallat në vendin tonë gjatë kohës së pandemisë.
Bëhet fjalë për “Clexane” si dhe “Enoxaparin”. Këto dy medikamente përdoren për mpikjen e gjakut, ndërkohë që një dozë e këtyre ilaçeve shitej me nga 20 mijë euro.
Këto ilaçe përdoreshin gjatë periudhës së pandemisë nga pacientët e infektuar me Covid, pasi një nga efektet anësore të vaksinave por edhe të pasojave të infektimit, ishte dhe mpiksja e gjakut. Medikamentet ishin shumë të vështira të gjendeshin dhe grupi kriminal i kontrabandonte nga Italia për t’i shitur në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 9 persona, si dhe u vunë nën hetim 82 shqiptarë, mes tyre mjekë dhe biznesmenë. Sipas SPAK, mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal në këmbim të parave ose shërbime seksuale kundrejt personave që merrnin trajtimin mjekësore apo u lejohej hyrja në Itali.